PROMOVIM I SHENJTË APO I FAMSHËM
Së pari ky nuk është revision i librit, “Mother Teresa: Saint or celebrity”. As analizë e jetës së Nënë Terezës. Poashtu ky artikull nuk do të merret me veprimtarinë e autorit të këtij libri, Gëzim Alpionit.Temë e këtyre rreshtave në fakt është vetë ky dhe promovimi në përgjigjësi.
Pse? Përse, pyetni ju unë zgjedhi të flas për formën e një ngjarje e jo për vet substancën e saj:
Para së gjithash të themi se botimi në fjalë është sipas vet autorit një punim akademik i drejtuar pra para së gjithash qarqeve akademike. Poashtu botimi që promovohej ishte botuar në anglisht dhe, sërish siç tha autori, tani për tani nuk ka plane të përkthehet në shqip. Në sallën e promovimit ndërkaq atë ditë shumica e të pranishmëve ishin pikërisht shqiptarët, pjesëtarë të diasporës së këtushme shqiptare. Dhe shumica e tyre ishin fytyrat e njohura që takohen gati në çdo tubim të ndryshëm publik i cili në këtë apo atë mënyrë ka të bëje me shqiptarët. Dhe pikërisht ky fakt më shtyri që të kalojë ca momente duke u marr pikërisht me këtë formë, me një lloj protokoli të pabotuar të këtyre takimeve.
Sipas këtij protokoli pra thuajse në çdo tubim me tematike shqiptare rreth 95% e mysafirëve janë vetë shqiptarët. Dhe 95% e kësaj shumice janë personast e njëjtë që mund të takohen nëpër të gjitha këto takime. Çoftë pritje e thjeshtë, ngjarje tematike, promovim akademik, diskutim politik apo ngjashëm. Ndërsa ky nymër pra këta 95% të shqiptarëve përbëjnë në fakt përafërsisht 5% të diasporës shqiptare këtu në Londër. Dhe madje po ta zëmë se këto ngjarje edhe organizohen apo duhet të organizohen për shqiptarët, vetvetiu shtrohet pyetja ku janë atëherë 95% e diasporës. Vallë vërtetë atyre nuk u intereson asgjë intelektuale apo nuk janë pjesë e elitës intelektuale shqiptare e cila meriton për tu ftuar. Përveç ndoshta për koncerte të ndryshme kur ata shndërrohen në një masë të thjeshtë argëtuese të most themi paguese. Thjesht 95% e shqiptarëve duket se jetojnë të pavërejtur apo madje të palëvizshëm gjatë tërë vitit për tu “zgjuar” vetëm dy-tri herë në vit siç është rasti fjala vjen me 28 nëntorin kur shoqatat e ndryshme shqiptare në Londër bëjnë disi garë me ftesat e veta individuale.
Dhe kështu gjersa vështroja të pranishmit se si vështronin kopertinat e librit, shikimi im u ndal në fotografinë e Nënë Terezës. Vallë ç'do të thoshte Nënë Tereza sikur të ishte e pranishme në këtë dhomë, më kaloi nëpër kokë. Apo më saktësisht çka do të bëhej me Agnes Bojaxhiun po të ishte një shqiptare e këtillë moderne tradicionale. Me të arritur në Dablin ajo do zhdukej në përditshmërinë e jetës irlandeze. Disa herë në vitë do të përcillte ndonjë mbrëmje të ashtuquajtur kulturore-artistike. Nëse rastësisht në listën e këtij 5% të diasporës së zgjedhur, ajo do të përcillte çdo takim me tematike shqiptare duke kryer kështu njëkohsisht obligimin e vet kombëtar e intelektual. Dhe sot ndoshta do ishte e shënuar si notë referimi në ndonjë libër mbi Ballkanin pa shënuar dallim madje për një fëmijë e lë më miliona sosh..
Shumë prej jush tani do fillojnë të më kritikojnë për kriteret e “shenjta” sipas të cilave siç duket unë pres nga çdo individ të bëhet Nënë Terezë. Se si në vend të promovojë arritjet shqiptare unë ja "merrem me analiza irelevante të sjelljes moderne shqiptare".
Vërtetë shpesh dëgjoj se shqiptarët nuk duhet të kritikojnë njëri tjetrin. Se madje gazetarët duhet të provojnë vetëm shembujt pozitiv si fjala vjen studentët apo akademikët siç ishtë autori i librit në fjalë. Sipas kësaj teorie pra, vet fakti se një shqiptar është akademik dhe autor është ngjarje që shtypi duhet të shkruajë. Por çka të shkruajë nuk është e qartë. Apo me saktësisht është e qartë. Çdo gjë në superlative. Të shfrytëzosh këtë rast për të promovuar Nënë Terezen para së gjithash si shqiptare. Për të promovuar autorin, para së gjithash si shqiptar. Për të promovuar të pranishmit para së gjithash si shqiptar. Fakti se libri në fjalë është i shkruar siç tha autori për lexuesit britanik dhe tani për tani nuk ka plane të përkthehet fare në shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër ballkanike, duket minor. Ngase sipas teorive të këtilla nuk është përmbajtja e librit ajo që duhet të tërheq opinionin shqiptar. Është fakti se është i shkruar nga një shqiptar dhe i kushtohet një shqiptare. Pra janë kopertinat ato që krijojnë lajm jo përmbajtja brenda tyre. Dhe kështu duket se mjafton të blesh këtë libër dhe obligimi ndaj kombit të kryhet. Madje atë mbrëmje vërejta se si disa blerës nuk mërziteshin nëse botuesi nuk kishte monedha të imta për të kthyer kusurin. Sikurse ky kusur ti shkonte Nënë Terezës apo veprimtarisë së saj. Sipas këtyre teorive identiteti kombëtar është primar dhe çdo identitet tjetër çoftë ai më i ngushtë personal apo më i gjerë si fjala vjen Ballkanik apo Europian, apo identiteti professional etj është sekondar. Kështu përkatësia kombëtare bëhet një lloj obligimi i vecantë që duhet kryer pa sfiduar apo testuar, përmes një promovimi të vazhdueshëm absolut të vlerave kombëtare.
Por madje edhe nëse zëmë se ky obligim është i drejtë dhe duhet të jetë absolut, shtrohet pyetja se sa efektiv mund të jetë një promovim i këtille. Madje edhe nëse numri i jo-shqiptarëve në këto "tubime promovuese" do të ishte më i madh se përfarsisht 5%. A ngritet vërtetë prestigji intelektual i një kombi nëse intelektuali në fjalë nuk është kritik dhe sfidues pa kufizime kombëtare të paktën jo në praninë e “të të huajve”. Nëse motivimi i tij është motivim kombëtar e jo shkencor. “Ai është patriot jo akademik” më patë thënë me një rast një akademike ndërkombëtare duke iu referuar një hulumtuesi shqiptar këtu në Londër. Fakti se pastaj mes vete kalojnë orë të tëra duke kritikuar njëri tjetrin bëhet argument personal e jo intelektual, kritikë me prapavijë destruktive e jo kritikë konstruktive. Para disa vjetesh pas një prezantimi që pata bërë me një seminar ndërkombëtar kushtuar temës së mitologjisë, pata dy kritika të ashpra nga dy individë shqiptarë të cilët prezantimin tim mbi mitin e liderit e panë si kritikë apo sulm ndaj liderit të atëhershëm të LDK-së Dr Rugovës. Në rastin e parë, individi në fjalë u drejtua me fjalët “kjo vajzë që nuk dijë se për çka flet”. Por tërë ajo për çka më akuzoi në vijim në fakt ishte theksuar jo nga unë por pjesëmarrësi tjetër në panel, një akademik britanik. Kritiku i dytë më priti në pauzë pa fjalë duke më qortuar vetëm me shikim. Kur iu ofrova dhe e pyta nëse ka diçka për të thënë, ai së pari më njoftoi se si nuk deshi të më “sulmojë” para të të huajve e pastaj më pyeti se si kritikojë presidentin madje ashtu haptas.
Promovimi kombëtar duket të jetë karakteristikë e popujve ti quajmë të vegjël në kuptimin ekonomik, pra popujve ekonomikisht periferik siç janë popujt e Ballkanit. Orvatjet e përvetsimit të Nënë Terezes nga popujt e ndryshëm ballkanik, maqedon, vllah, serb etj, siç përkujton autori, janë shembull këtyre tendencave. Kur komponentës ekonomike i shtohen konfliktet luftarake ky promovim kombëtar bëhet jo vetëm obligim moral e praktik por madje pjesë e sigurisë kombëtare duke gjykuar çdo individ që nuk i përmbahet rregullave të këtilla. Lufta e viteve të '90-ta në ish-Jugosllavi ilustron qartë këto tendenca. Gazetarë, artistë e krijimtarë të ndryshëm u bënë punonjës aktiv politik. Kritikët e brendshëm të politikës kombëtare bëheshin gjithnjë e më të rrallë derisa konflikti ashpërsohej gjithnjë e më shumë. Shih më tha me një rast një kolege gjersa rrëfente mbi një vizitë në një Manastir otdokos gjatë luftës në Kosovë: Në Ballkan nuk kemi krijues, artist, shkencëtar, priftërinjë e hoxhallarë. Ne kemi vetëm patriot, aktivistë politik të veshur në petka të ndryshme përfshirë ato fetare.
Shumë shqiptarë i shohin për të madhe Nënë Terezës pse ajo nuk kishte theksuar më zëshëm përkatësinë e saj kombëtare. Nga ana tjetër, siç përkujtoi edhe autori i këtij libri figura e Nënë Terezës në Ballkan është politizuar në masë të tepërt. Është shndërruar shpesh në një mjet politik në garën e këtyre popujve për të dëshmuar se pikërisht ata e jo konkurentët e tyre janë të aftë të japin një figurë të këtillë.
Të preokupurar me promovimin kombëtar, popujt ballkanik harrojnë se Agnes Bojaxhiu ishte para së gjithash qenie njerëzore, e lindur në Ballkan madje para krijimit të shteteve moderne në fjalë, pranë prindërve me etnicitet të caktuar. Ishte vogëlushe me një energji të jashtzakonshme të brendshme që besimtarët e shohin si “thirrje” ndërsa jo-besimatrët si “instikt human”. Agnes Bojaxhiu pra ishte një gocë e re e cila në moshën 18 vjeçare vendosi ti dedikohet zërit apo energjisë së brendshme duke ndihmuar humanizmin si të tillë. Dhe për këtë u njoh si nga besimtarët ashtu edhe ateistët e agnostikët. Në vend të garave të ndryshme promovuese politike popujt ballkanik do të promovonin më efektivisht vlerat e veta poqese veprimtarinë e krijuesve të tyre ta kuptonin para së gjithash si veprimtari humane dhe të ngriten mbi kufijtë e ndryshëm, çofshin ata shtetërorë, kombëtar apo fetar.
<< Home