Saturday, November 03, 2007

AHTISARI: PLANI IM KOMPROMISI MË I MIRË

Ish-i dërguari i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për statusin e Kosovës, Marti Ahtisaari, thotë se plani i paraqitur prej tij është kompromisi më i mirë për zgjidhjen e statusit të Kosovës.

Duke folur për BBC-në gjatë një qëndrimi në Londër ai thotë se negociatat e tanishme janë edhe një orvatje që të dëshmohet se u bë çdo gjë e mundur për të arritur marrëveshje mes palëve.

"Unë nuk mund të heq dorë duke kërkuar falje se nuk munda të zgjidh këtë çështje," tha zoti Ahtisaari.

Kimete Bytyçi bisedoi me zotin Ahtisaari.


BBC: Zoti Ahtisari, Treshja ndërkombëtare tani po ndërmjetson një proces të ri negociatash mes palëve. Çfarë janë sipas jush gjasat e arritjes së marrëveshjes dhe a mendoni se plani juaj do të kthehet në tavolinë?

Zoti Ahtisari: Plani im është në tavolinën e Këshillit të Sigurimit. Ai është plani i vetëm para këtij Këshilli. Për tani plan tjetër nuk ekziston. Do të shohim se çka do të konkludohet nga Treshja. Procesi i tashëm i negociatave është orvatje që të dëshmohet se çdo gjë e mundur u bë në këtë proces. Unë vet këshillova që të mos kërkojnë nga unë dhe kolegët e mijë të bëjmë këtë gjë, por që ata tani të bëjnë vetë këtë. Unë pata ftuar Grupin e Kontaktit në takimin më 10 mars dhe disa takime. Ata panë se si po sillen palët në këto takime. Andaj unë u thashë tani ju duhet të kaloni nëpër këtë proces, të përjetoni vetë atë. Nëse arrini diçka praktike, bukur. Kështu u morëm vesh që një ndër kolegët e mijë senior të jetë në disponim.

BBC: Dhe çka mendoni ju çfarë janë gjasat që ata të bëjnë këtë. Pra të arrijë marrëveshje apo siç thuhet kompromis? Vet plani juaj atë kohë u cilësua si kompromis. Çfarë kompromisi mendoni se mund të arrihet tani e që ju nuk patët parashikuar në propozimin tuaj?

Zoti Ahtisari: Kjo mbetet të shihet. Ata, me sa e dijë unë, akoma kan të paktën tri takime para se të raportojnë (para Grupit të Kontaktit). Më pas do të shohim se cfarë do të del nga ky proces. Ata tani kan disa pika që po diskutojnë. Unë në këtë moment nuk do të hyja në detaje. Në këtë moment vërtetë është vështirë të flitet me siguri mbi këto parashikime. Vërtetë do tu thoja sikur të isha i sigurtë. Është detyrë e vështirë. Le të presim e të shohim.

BBC: Ndërkohë a mund të thoni se ku i shihni ju arsyet kryesore për këtë dështim të deritashëm?

Ahtisari: Një ndër arsyet ndoshta është mënyra se si lexohet historia. Shumëçka varet se si e shihni historinë e rajonit. Çka ndodhi nga viti 1989 e deri tani. Nuk ka nevojë të shkohet në vitin 1300. Më kujtohet se si kur kryesoja grupin punues të Bosnjës e Hercegovinës, Karadzici na tregonte hartat nga viti 1300. Kjo ndoshta është cështja kyçe, pra nëse mund të merremi vesh se çka ndodhi dhe pse, dhe si të dalim nga kjo tollovi. Këto negociata në fakt janë orvatje të dalim më së miri nga kjo tollovi e krijuar në vitet e viteve 90-ta. Le të kemi durim, e tue shohim. Unë kam mjaft durim.

BBC: Dhe ju mendoni se plani juaj që kthehet për diskutim?

Ahtisari: Zoti Ahtisaari: Plani im nuk është duke u zhdukur askund. Ai është në tavolinë dhe nuk do të zhduket askund. Unë besoj se ky është kompromisi më i mirë që mund të kemi. Ka mbështetjen e shumicës së vendeve të Bashkimit Evropian.

Shumica dërmuese e anëtarëve të Këshillit të Sigurimit e mbështesin këtë plan nëse jo akoma të gjithë anëtarët e përhershëm të këtij Këshilli. Shpresoj se edhe të tjerët do të kuptojnë këtë me kohë. Unë nuk mund të heq dorë ashtu duke kërkuar falje se nuk munda të zgjidh këtë çështje.

Asnjë zgjidhje e konflikteve nuk mund të gjendet pa analizuar shkaqet e vet konfliktit në fjalë. Zgjidhja nuk mund të gjendet nëse nuk ka gatishmëri të analizohet sinqerisht se çka eci mbrapsht në një situatë konflikti.

Ndryshe keni situatë si në Serbi ku thuhet se ishte një regjim tjetër që shkaktoi problemet me shqiptarët. Gjatë një bisede me (ish-ministrin e jashtëm serb) Vuk Drashkoviqin ai më tha se qeveria e tashme demokratike (serbe) në duhet të dënohet për atë që bëri Milosheviqi.

Por unë iu përgjigja se 'kjo qeveri nuk mund as të shpërblehet për këtë'.
Fatkqesësisht në Evropë vetëm Gjermania ka vështruar të kaluarën e vet. Regjimi demokratik në Serbi duhet të merret me të kaluarën. Nuk ka ecje përpara pa marrë përgjegjësinë për të kaluarën edhe nëse personalisht nuk ke bërë asgjë.

Ne kurrë nuk duhet të pranojmë se ndonjë konflikt nuk mund të zgjidhet. Disa anëtarë të perhershëm nganjëherë përmendin mundësinë se Kosova mund të shdërrohet në konflikt të ngrirë si ai i Qipros apo Palestinës. Unë as që dëshirojë të diskutojë alternativa të tilla. Ne duhet t'i shtyjmë qeverintë që të zgjidhin konfliktet.

Mua më duhet të luftoj për këtë plan sepse kjo është mënyra e vetme për të zgjidhur këtë problem. Ai garanton praninë e bashkësisë ndërkombëtare që do të sigurojë se qeveria e ardhshme atje do të bëjë atë që kemi parashikuar në planin tonë, të ndryshojë këtë shoqëri sepse akoma nuk janë implementuar të gjitha standardet.

Të fillojmë të sigurojmë në përgjigjthësi në Ballkan një jetë më të mirë për njerëzit e zakonshëm


Transmetuar 31 tetot

http://www.bbc.co.uk/albanian