Monday, October 15, 2007

POLITIKË PA FJALË


Për një moment tërë Ballkani mu duk si një shkollë periferike të cilën mësuesat në fakt as që e vizitojnë fare... Kështu nxënësit vrapojnë posht lart, ngacmojnë njani tjetrin, ushtrojnë forma të ndryshme të torturës së butë dhe ma pak t‘but kundër njani tjetrit… Dhe vetëm kur ata fillojnë të vrasin njani tjetrin, mësuesit reagojnë. Në fillim ashpër, pastaj më pak ashpër, derisa më në fund gjejnë ca kujdestarë të ri, dhe çdo gjë fillon prej fillimit…



Një ditë rastësisht u gjeta në një shitore eletroteknike. Më duhej urgjentisht diçka për kompjuter dhe dërisa pritja, vetiu sytë mu ndalen në ekranet e reklamuar telviziv. Të programuar në të njëjtin kanal por pa ton (për të mos shqetsuar blerësit), të gjithë kishin David Miliband-in, sekretar i jashtëm britanik si mysafir të një emisioni t’rregulltë politik që po të mos ishte puna e kompjuterit, do isha duke e përcjellur në shtëpi… .

Në fillim, ktheva kokën në anën tjetër sepse mu duk e nevrikosur të shikojë fytyrën e një politikani pa mundësi të dëgjojë se çka thotë… Por si në çdo shitore sytë shetisin vetiu nëpër prodhimet përreth, dhe Davidi dilte vazhdimisht para meje. Vëmendjen ma tërhoqi pamja e vet Milibendit e cila dukej se ndryshtonte thuajse pas cdo fjale që fliste ai… Nga qëndrimi i tij apo siç thonë anglezët “body language”, apo, ta quajmë ne, gjuha fizike, konkludova se Milibendi vërtet fliste me gazetarin e jo vetveten. Se ai të paktën dëgjonte pyetjen e pastaj jepte përgjigjen duke u orvatur të shpjegojë mesazhin e vet. Thjesht, ai nuk fliste vetëm me gojë por me tërë trurin...

Ndodhi kjo mu rreth qëndrimit të delegacionit shqiptar dhe atij serb në Londër, dhe takimeve të tyre me Treshen ndërkombëtare. Kështu derisa vështroja këto dy delegacione, fytyra e Milibandit disi vetvetiu dilte si një lloj kriteri unik i matjes së vullnetit të tyre politik. Por për të qenë sa ma a drejtë në këtë vlerësim nevojitej tu “ndali” zanin edhe politikanëve ballkanik dhe koncentruar në gjuhën fizike të tyre. Jo sepse për shembull, “shteti demokratik” për të cilin fliste Jeremiqi (ministri jashtëm serb) shtronte vetiu pyetjen se në ç’bazë pretendon qeveria tij tu ndalon rreth dy million njerëzve të drejtën e tyre demokratike? Apo meqë, fjala vjen "ecja përpara" e delegacionit gjithë-mashkull gjithë shqiptar dukej se vetiu pyeste se vallë sa prapa duhej të rrinin femrat dhe jo-shqiptarët e Kosovës…” Por sepse, “kriteri i Milibandit” kërkonte të dëgjojmë politikë pa fjalë…

Ajo që binte në sy përmes një mesazhi të këtillë ishte natyra e ngjashme e tyre. Sado të ndara, mesazhet e tyre dukej se njëzëri thonin: “Ne kemi ardhur këtu tu impresinojmë juve, tu bindim se na e jo ata tjerët, meritojmë vëmendjen tuaj…” Ashtu pa fjalë, çdo gjë dukej se ecte sipas skenarit, të mësuar e ushtruar me kujdes…

Ajo që dukej se mungonte ishte sponataniteti. Ajo lëvizja spontane e “Milibendit” që më pat tërhequr vëmendjen ca ditë më herët…

Sado që fjalimi Jeremiqit ishte plotë terme moderne demokratike, gjuha e tij fizike dukej se thoshte se vet atij fjalimi "demokratik në kontekstin e mbrojtjes së pamohueshme të Kosovës" përkundër akcentit perfekt amerikan i tingellonte disi sikur të vinte nga mesjeta…

Nga ana vet, delegacioni shqiptar dukej disi plotësisht absent. Sikurse se ishte lodhur duke përsëritur qëndrimin e tyre dhe tani as vet nuk kuptonin pse akoma duhet të flasin. “Ja”, dukej se thonin, ne madje hartuam një Traktak fqinjësie, sipas standardeve moderne perëndimore dhe nuk dijmë çka doni prej nesh ma…

Natyrisht, përshtypjet e mija mund të jenë të influencuar nga situata e përgjithshme në Ballkan dhe kështu plotësisht subjektive… Mua në fakt, ka kohë, situata në Ballkan më duket posi një shkollë unike ku nxënësit, në vend të koncentrimit në arsim të vërtetë, tërë kohën luftojnë për vëmendjen e mësuesave. Sikurse fare nuk besojnë apo as që dëshirojnë të diplomojnë, e kështu të marrin përsipër përgjegjësinë e jetës jasht bankave shkollore…

Kur disa javë ma vonë Milibandi priti delegacionin kosovar në Londër, sërish mu kujtua analogjia e shkollës ballkanike dhe fytyra e Milibendit atë ditë në shitore… Vallë, më kaloi nëpër kokë derisa pritja para Foreign Officit (Ministrisë së Jashtme), si flasin kta burra t’botës kto ditë me Ballkanasit tonë? Konkretisht si flet tani vet Millibandi me mysafirët kosovar… Me tërë trurin apo vetëm me gojë?

Në pamundësi të paraftyrojë Millibandin në ambientin “ballkanik”, imagjinata ime filloi të lozë me analogjinë e shkollës ballkanike…Për një moment tërë Ballkani mu duk si një shkollë periferike. E dini nga ato shkollat që edhe Perëndia (natyrisht nëse ekziston) i ka harruar… Në një shkollë të cilën mësuesat në fakt as që e vizitojnë por e kan lënë nën kujdesin e disa nxënësve të zgjedhur sipas kritereve personale, zakonisht shkallës së dëgjueshmërisë… Kështu nxënësit vrapojnë posht lart, ngacmojnë njani tjetrin, ushtrojnë tortura të ndryshme të buta apo ma pak t‘buta kundër njani tjetrit… Dhe askush nuk sheh asgja. Vetëm kur nxënësit fillojnë të vrasin njëri tjetrin, mësuesit reagojnë. Në fillim ashpër, pastaj më pak ashpër, më në fund gjejnë ca kujdestarë të ri dhe cdo gjë fillon prej fillimit…