POLENZ: STATUSI TË ZGJIDHET PARA G8
Pa zgjidhje të çështjes së Kosovës, Serbia nuk mund të bëhet kandidate e BE-së, ka thënë Polenz, mbas takimit të kryetarëve të komisioneve të jashtme të 33 parlamenteve evropiane në Berlin"Për një gjë të gjithë janë dakord, statuskuoja nuk mund të zgjasë deri në një afat pafund!" - ka thënë Ruprecht Polenz, kryetar i komisionit të jashtëm në Bundestag të martën në Berlin.
Polenz është treguar i vetëdijshëm, se një kompromis mes shqiptarëve dhe serbëve nuk mund të pritet. Por ai vuri në dukje, se ekziston një interes i përbashkët mes palëve negociuese: "Ndërsa Kosova dëshiron një zgjidhje të statusit, Serbia, siç na u tha nga përfaqësuesit e serbëve, kërkon që në vitin 2008 të jetë kandidat i BE-së, por kjo nuk do të jetë e mundur, pa zgjidhjen e statusit të Kosovës", ka nënvizuar më tej Polenz.
Delegacioni serb në konferencën dy ditore të kryetarëve të komisioneve të jashtme të 33 parlamenteve evropiane në Bundestag kryhesohej nga deputeti i Partisë Demokratike të Serbisë, Milosh Aligrudiç.
Si Polenz ashtu edhe i ngarkuari i posaçëm i BE-së për politikë të jashtme, Javier Solana, shpresojnë që çështja e Kosovës do të zgjidhet para verës. Polenz tha se po punohet që çështja të zgjidhet para samitit të tetë vendeve më të industrializuara, që është parparë për në qershor nën kryesinë e Gjermanisë në Heiligendamm.
Debati në Këshillin e Sigurimit do të fillojë pas datës 10 mars, tha Solana, duke u shprehur optimist, që procesi do të përfundojë me një rezolutë të re: "Nuk kam ndonjë shkak përse të mendoj që anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të fillojnë një debat, dhe nuk do të arrijnë kompromis".
Optimist u tregua Solana, se Bashkimi Evropian do të jetë i bashkuar në çështjen e Kosovës. Megjithatë disa kryetarë komisionesh parlamentare, megjithë mbështetjen për punën e Ahtisaarit, kishin shprehur edhe frikën, për efekte negative që mund të kishte realizimi i propozimit të tij në vende të tjera me pakica. Dyshimet më të mëdha, sidomos në lidhje me të drejtat asimetrike të trajtimit të pakicave, që parasheh plani i Ahtisaarit, i ka shprehur Sllovakia dhe Rumania, tha Polenz.
Kryetari i komisionit për çështje të jashtme në parlamentin sllovak, Boris Zala, është shprehur për programin shqip të Deutsche Welles, se plani i Ahtisaarit paraqet rrezik për vendin e tij, ku jeton një numër i madh hungarezësh: "Plani i Ahtisaarit, ka disa përparësi dhe disa probleme, por për këtë moment, unë nuk shoh ndonjë zgjidhje tjetër. Për Bashkimin Evropian, dhe parë nga këndveshtrimi i vendit tim, është një situatë shumë e rrezikshme. BE ja duhet të pranojë një qendrim, ku thuhet që është një rast unik dhe i paadaptueshëm në rajone të tjera, kjo do të jetë shumë e rëndësishme për ne." Zala ishte takuar të hënën veçmas me Ahtisaarin dhe e kishte informuar atë për qendrimin e mundshëm të Sllovaiksë ndaj Kosovës.
Me kërkesë të Ahtisaarit, mes tij dhe Zalës, pati të hënën një takim, për qendrimin e mundshëm të Sllovakisë ndaj BE/së.
Anila Shuka
DW në shqip
http://www2.dw-world.de/albanian
<< Home