SUKSESI I DËSHTIMIT
Le të jëmi të sinqertë. Procesi i tashëm negociator është para së gjithash dështim. Dhe para se tia lam krejt fajin Putinit, të shohim nëse vet Ekipi Unitetit bëri apo nuk bëri diçka për të humbur përparsinë që gëzonte në negociata një vit më herët. Më në fund pavarësia nënkupton para së gjithash përgjegjësi. E pavarur siç synon të jetë, Kosova pra liderët e saj, duhet të marrin përgjegjësinë edhe për dështime e jo vetëm për suksese.Rastësisht kto ditë hasa në një raport nga viti i shkuar ku mes tjerash thuhej: “Mundësitë janë më të mëdha që Kosova të jetë e pavarur” dhe “një gjë të këtillë e dijë çdo qytetarë”. Citati ishte i Presidentit serb Boris Tadiq than gjatë fushatës parazgjedhore në Serbi në dhjetor të vitit 2006. (për raportin e plotë shih: http://euro-korrespondent.blogspot.com/2006_12_01_archive.html)
Kështu mu kujtua kjo periudhë, ndryshe më e njohur si “pritje e Ahtisarit” pra planit të tij i cili duhej të mbyllte procesin e statusit të Kosovës. Atë kohë, siç dëshmon edhe raporti më lartë, pritej që ky proces të rezultonte me pavarësinë e Kosovës. Vet plani në fakt ishte shtyer pikërisht për shkak të këtyre zgjedhjeve në Serbi, gjë që dukej se ofronte dëshminë më të mirë se ky plan do të rekomandojë pavarësi për Kosovën. Ndryshe, përse vërtetë duhej të shtyhej fare ky publikim.
Një vit më vonë ndërkaq Kosova jo vetëm se nuk është e pavarur por vet procesi i vendosjes së statusit duket se po hapet nga dita në ditë. Pas një vit negociatash nën mbikqyrjen ndërkombëtare, tani palët sërish po takohen për të diskutuar apo për të mos diskutuar. Spekulimet dhe parashikimet vazhdojnë derisa pasiguria mbi situatën e përgjithshme vetëm se shtohet. E vetmja gjë që vërtetë ka ndryshuar duket pozita e vet Ahtisarit. Diplomati ndërkombëtar tani u zëvendësua me tre kolegë të tij ndërkombëtar. Satiristët duhet falur nëse konkludojnë se krejt problemi i Kosovës paska qenë Ahtisari..
Satirën anash, shumkush tani pyet çka ndodhi gjatë këtij viti e që procesi i cili dukej “punë e kryer” tani të gjendet nëse jo në fillim padyshim në një shtyrje të fuqishme prapa. Pse plani aq i pritur tani duket disi i padëshiruar, apo siç thuhet "mbi tavolinë por jo në diskutim". Madje vet parimet mbi të cilat Ahtisari ishte autorizar të veprojë nga bashkësia ndërkombëtare gjatë negociatave mëse njëvjeçare tani duket se janë shtrembruar saqë vështirë se njihen. Mos-ndarja, mos-kthimi në situatën para vitit 1999 dhe mos-bashkimi me ndonjë vend fqinjë tani janë zëvendësuar me një parim të vetëm të quajtur “kompromis”. Me një moment madje dukej se ky “kompromis” nënkuptonte pikërisht të kundërtën e këtyre parimeve duke bërë ndarjen e Kosovës temë dite. Kështu jo vetëm plani i Ahtisarit por tërë autoriteti bashkësisë ndëkombëtare dukej se binte nën hijen e këtij “kompromisi” të paqartë e konfus. Më në fund vet plani i Ahtisarit në fakt ishte kompromis apo jo? Çfarë kompromisi parimor pra mund tani të pritet e që i dërguari i posaçëm ndërkombëtar nuk do të kishte parashikuar. Nëse bashkësia ndërkombëtare me fjalën “kompromis” tani nënkupton atë që Koshtunica pranon, përse atëherë fare u mbajt ky proces intensiv njëvjeçar... Më në fund, Koshtunica erdhi në pushtet në Serbi qysh në vtitin 2000. Vallë a nuk do të kishte qenë më praktike që ky “kompromis” të ishte arritur që atëherë? Sa energji, pritje e shpenzime do të ishin kursyer vetëm nga udhëtimet e vazhdueshme nëpër metropolet ndërkombëtare.
Faji pra nuk mund të jetë tek ndërkombëtarët. Të konkludosh ndryshe do të thotë të pranosh dështimin e logjikës. Pra përgjigja nuk mund të jetë tek mosinteresimi i bashkësisë ndërkombëtare dhe dëshira e tyre që të fusin një vulë çfarëdo fare në letrën e statusit e që ata pastaj të vazhdojnë jetën e tyre të qetë diku në Helsinki, Londër apo Uashtington. Diçka tjetër duket të ketë ndodhur brenda këtij viti e të ketë kthyer çështjen e statusit thuajse në fillim. Por çka? Çka ndodhi vërtetë gjatë këtij viti? Po. po Rusia, por as Rusia e as Putini nuk lindën dje apo jo?
Le të shohim nëse ka (edhe) diçka që mund të shpjegojë këtë labyrinth. Nëse diçka apo dikush shumë më afër se Rusia dhe Putini mund të ofrojë ndonjë përgjigje. Jo për ti hudhur fajin dikujt e që të tjerët të kënaqemi duke qortuar nëpër kafene e restorante. Askush sot, sidomos populli kosovar nuk ka kohë për një “vetëkënaqje” të këtillë. Pra jo për të qortuar por të kuptuar si parakusht për të ecur me konfidencë drejt së arrdhmes më të mirë. Statusi apo pavarësia nuk është qëllim në vet pas arritjes së të cilës gjithçka do ec vetiu. Ai nuk është fundi por fillimi drejt arrdhmërisë. Është mjet, rrugë drejt një të arrdhme më të mirë dhe konfidente jo vetëm për qytetarët e Kosovës (çoft shqiptar, serb, romë apo asnjëri prej tyre), por edhe për ata në Serbi. “Pa dyshim” më patë thënë një analist serb kur e pata pyetur nëse statusi i Kosovës po pengon procesin demokratik në Serbi. “Gjithnjë derisa të kenë këtë çështje të pazgjidhur, anash mbesin çështjet e rëndësishme ekonomike”. Prandaj deklaratat e qeverisë serbe se nuk dëshirojnë afate për bisedime duken vërtetë të pakuptimta. Megjithatë, sado paradoksale, delegacioni serb i cili shndërroi vet procesin në qëllim, tani mund të jetë i kënaqur. Më në fund me dy-tre anëtarë sa çojnë zakonisht në këto takime tani, ata duken më efektiv se ekipi i plotë kosovar. Gjë që vetiu lë delegacionin kosovar në skenë. Natyrisht të pengosh një zgjidhje është gjithmon më lehtë se të gjesh atë, por kjo është vetëm një pjesë e përgjigjes. Vallë ku qëndron pjesa tjetër e kësaj përgjigje? Çka bënë ata vet gjatë këtij viti? A bën, fjala vjen mjaft për të dëshmuar se mbikqyrja e propozuar nga Ahtisari do të jetë vetëm një formalitet i këndshëm. Se ata jo vetëm se do të përmbushin kërkesat e bashkësisë ndërkombërtare por madje kan një mori idesh, planesh dhe arritjesh konkrete që do të bëjnë këta ndërkombëtar krenar të kenë qenë të angazhuar në këtë proces. Madje shumë më krenar se sa të kenë emrin e vet në ndonjë bulevard plotë pluhur që ata më vonë as që do të dëshirojnë ta vizitojnë. Vërtetë pavarësia përveç tjerash kërkon origjinalitet dhe vet-iniciativë. Mos qëndron pra këtu të paktën një pjesë tjetër e përgjigjes së këtij dështimi. Sepse le të jemi të sinqertë, procesi i tashëm, pavarësisht nga rezultati përfundimtar është para së gjithash dështim. Kohë më parë, madje një analistë britanik nuk deshi të prononcohet lidhur me këtë vazhdim procesi duke e quajtur “shaka të hidhët”. Të tjerët derisa flasin vështirë se fshehin dëshprimin dhe pasigurinë që ndjenjë tani. Shumkush veçmas shqiptarët pyesin nëse delegacioni kosovar po humb kohë të vlefshme në udhëtime të pafrytshme. Të unifikuar siç thonë se janë nëse të paktën do të mund të ndajnë përgjegjësinë e udhëtimeve nëse jo pergjëgjësitë tjera dhe në vend që të gjithë të shkojnë së bashku në Nju Jork, Londër apo Vjenë, disa të vizitojnë fjala vjen Moskën, Bukureshtin apo Athinën… Madje ndoshta të marrin me vet ndonjë femër apo ca të rinjë të papunë e të prezantojnë Kosovën të tillë çfarë është me plotë të rinjë, e artikuluar, moderne, dhe e hapur. Më në fund, përkundër të gjitha pakënaqësive që shpreh, qeveria serbe vazhdon të bisedojë drejtpërdrejtë me Uashtingtonin, Londrën apo çdo vend tjetër që përkrah pavarësinë e Kosovës… Pra, para se tia lëmë krejt fajin Putinit, të shohim se çka bëri apo nuk bëri vet Ekipi Unitetit për të humbur përparsinë që kishin para një viti. Më në fund, pavarësia nënkupton para së gjithash përgjegjësi. E pavarur siç synon të jetë, Kosova pra liderët e saj duhet të marrin përgjegjësinë edhe për dështime e jo vetëm suksese.
Kim Bytyçi
<< Home