Friday, November 16, 2007

TË GJITHË LIDERËT SHQIPTARË

Problemi i shqiptarëve nuk është se nuk kanë liderë vërtet të talentuar potencial. Problemi i shqiptarëve është se tepër shpesh, tepër shumkush, sidomos ata pa talent të këtillë, kan ambicie të bëhen liderë… Dhe sa më të patalentuar, aq më e zjarrtë ambicia e tyre, aq ma e vrazhdë lufta e tyre kundër çdokujt që rrezikon këto ambicie…



Këto ditë takova mbesen e Obri Herbertit (Aubrey Herbert). Isha e ftuar në një darkë private ku edhe ajo ishte mysafire dhe kështu u dha rasti të shkëmbejmë ca kujtime dhe anegdota mbi gjyshin e saj, ndryshe në qarqet shqiptare të njohur si mik i Shqipërisë.

Të rikujtojmë: Obri Herbert ishte diplomat britanik. I lindur në vitin 1880. Ishte i biri i Kontit të katërt të Karnavonit. Anëtar konzervator i Parlamentit britanik, politika e tij njihet si shprehje e ndjenjave dhe simpatisë së tij humane. Herbert më shumë se një herë vizitoi Shqipërinë dhe ishte mbështetës i pasionuar i pavarësisë së Shqipërisë. Gjatë Konferencës Ballkanike në Londër më 1912, Herbert këshilloi delegacionin shqiptar dhe konsiderohet të ketë ndikuar dukshëm që Shqipëria mori pavarësinë atë kohë. Vajza e tij Laura u martua me shkrimtarin e njohur britanik Ivlin Vo (Evelyn Waugh). Harriet Vo (Harriete Waugh) është bija e tyre. (Më shumë mbi jetën e Obri Herbertit në numrat e ardhshëm).

I njohur në qarqet shqiptare është edhe fakti se atij i ishte ofruar froni shqiptar. Këtë ofertë Obri Herbert e kishte hudhur poshtë sipas këshillës së kryeministrit të atëhershëm britanik, ndryshe mikut familjar, Herbert Askvith (Herbert Asquith).

Pikërisht ky fakt (ndihmuar ndoshta edhe nga spontaniteti gjentil i mbesës së tij), bëri që teksa kthehesha në shtëpi, imagjinata ime disi vetiu të kthehej në të kaluarën. Vallë, më kaloi nëpër kokë, çka do të kishte ndodhur sikur Herberti të kishte pranuar fronin mbretëror shqiptar? Çfarë rrugë do të kishte ndjekur Shqipëria nën udhëheqjen e tij?

Mst: Ku do ishte Shqipëria sot?

Sado që imagjinata ime ishte e disponuar për spekulime të ndryshme hipotetike, realiteti tashmë imponohej disi egër para saj. Pa-ftuar fare, dilte para saj dhe bllokonte çfarëdo rruge që kjo imagjinatë tentonte të ecte. Djathtas, majtas, përpara… Kot… Me një forcë unike e ndalte dhe shtynte të kthehej sërish dhe sërish prapa… Vetëm prapa… Kështu prapa, arrihej në kohën e para Herbertit… në kohën e varësisë apo okupimit otoman…në kohën e Kastriotit…në kohën e para Kastriotit… në… në… në…

Pyetja se ku do ishte Shqipria sot zbehej gjithnjë e më shumë. Brenda një kohe të shkurtër, përgjigja dukej e vetë-imponuar…

Ku do ishte Shqipëria sot?

“Jo larg nga ku është tani”, konkludova së shpejti. Mu ashtu si Shqipëria u kthye “në fillim” pas vdekjes së Gjergjit (Kastriotit), ashtu do të ishte kthyer ajo pas vdekjes se Obrit (Herbertit). Problemi i shqiptarëve nuk është mungesa e liderëve vërtet të talentuar potencial … Problemi i shqiptarëve është se tepër shpesh, tepër shumkush, sidomos ata pa një talent të këtillë, kan ambicie të bëhen liderë. Të udhëheqin madje pa ditur se ku shkojnë, të prijnë derisa vetë nocioni i destinimit për ta është i padefinuar… Dhe sa më të patalentuar, aq më e zjarrtë ambicia e tyre, aq më e ashpër lufta e tyre kundër çdo kujt që rrezikon këto ambicie të tyre…

Vërtet, problemi i shqiptarëve nuk është mungesa e talentit… Në mesin e shqiptarëve si edhe në mesin e çdo populli ka njerëz me potencial dhe talente të ndryshme. Disa për mësues, disa për gazetarë, disa për inxhinierë… ndërtues…lektor… mjek… disa për udheheqës apo liderë… Të gjithë prej nesh vërejmë lehtë talentë të vërtetë rreth nesh për çështje të veçanta… Problemi i shqiptarëve është se ky talent mbetet kryesisht nëse jo edhe plotësisht i pa kultivuar si në aspektin personal ashtu edhe në atë shoqëror. Tepër shpesh, thuajse të gjithë synojnë “të bëhemi diçka” pa sfiduar energjinë dhe talentin e brendshëm… Mjafton të shikosh përreth dhe të vëresh sa energji derdhet duke ndjekur “qëllime të huaja”, pra, profesione joadekaute por të cilat shihen si grandioze… Dhe në vend të kultivimit të brendshëm personal dhe shoqërorë, thuajse tërë energjia orientohet në pengimin e talentit të rrezikshëm për ambiciet e këtilla të gabuara personale… Tërë këtë kohë talenti i vërtetë personal dhe shoqëror mbetet i mbyllur brenda mureve të injorancës dhe ambicieve të gabuara…

Kim Bytyci