Tetë ushtarë të lënduar në veri të Kosovës
Të paktën tetë ushtar të forcave paqeruajtëse janë lënduar gjatë aksionit të sotëm për heqjen e barrikadave të vena nga serbët në veri të Kosovës, konfirmojnë për DW, zyrtarë nga zyra për informim e KFOR-it. Merret vesh se njëri nga ushtarët e KFOR-it është lënduar nga gazi lotsjellës gjatë përpjekjes për të shpërndarë serbët, një tjetër nga tymi i madh, ndërsa gjashtë të tjerët nga mjetet për shuarjen e zjarrit.Forcat paqeruajtëse të NATO-os, sot në mëngjes nisën aksionin për heqjen e barrikadave në disa nga rrugët e veriut të Kosovës të cilat qojnë në dy pikëkalimet kufitare me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak. Një zëdhënës i KFOR-it, Uve Novicki, thotë se operacioni i deritashëm ka rezultuar i suksesshëm. Ai konfirmon se KFOR-i ka kontroll të plotë në pikat kufitare dhe se kontrollon të gjitha kalimet në kufirin me Serbinë.
Deri tash KFOR-i ka arritur të largojë barrikadën në hyrje të fshatit Zupq e cila ka qenë e betonuar si dhe një barrikadë në fshatin Jegenicë, në rrugën Zvecan-Zubin Potok.
Mediet serbe njoftojnë se në orët e hershme të mëngjesit presidenti Serb Boris Tadic, u kërkoi serbëve në veri të Kosovës të mbesin të qetë, ndërsa NATO-s i kërkoi t’i shmanget përdorimit të dhunës.
“Liderët e serbëve lokalë në veri do të duhej të punonin vetëm në interesin e njerëzve dhe jo nën ndikimin e disa partive politike serbe”, citohet të ketë thënë presidenti Boris Tadiq.
Bekim Shehu, Deutsche Welle
www.dw-world.de/albanian
<< Home