"TRAVIATA SHQIPTARE" NË LONDËR
"Tranformimi ishte impresiv. Bashkbiseduesja ime që para vetëm ca momentesh, me buzëqeshje të thjeshtë, pa fije pompoziteti fliste gjersa përgatitej për mbrëmjen mbyllëse të "La Travita-s" në Royal Opera House (ROH), tani lëvizste në skenë posi kurtozane e vërtetë.E fshehur" brenda fustanit "rreth 20 kilash" pak kush në sallën e përmbushur tani do të mendonte se si Violetta legjendare e Verdit sonte ishte sopranja shqiptare Ermonela Jaho. Apo se dashnori i saj, Alfredo ishte një artist tjetër shqiptar, tenori Saimir Pirgu. “Është një rol shumë i afërt për mua” thotë Jaho për rolin e Violettës që së pari e kishte luajtur si 17 vjecare në Tiranë.
Dhe a kishte menduar ajo atë kohë se një ditë këtë rol do ta interpretojë këtu në “Royal Opera House” të Londrës?
Buzëqeshja e saj flet më zëshëm se çdo fjalë.
Poashtu e tepërt duket çdo fjalë lidhur me rëndësinë që ka për një artist pjesëmarrja në një shfaqje të këtille, në njërën ndër shtëpitë më të famshme të operas në botë. Është një mirënjohje, një konfirmim për suksesin e artistit.
“Sidomos për një artist nga një vend sic është Shqipëria”, do të shtojë më vonë, Saimir Pirgu. Dhe sidomos nëse artisti rikthehet në të njëjtën shtëpi, shton ai, që për Pirgun është më e rëndësishme se sa të bëhet fjala vjen “Pavaroti i ri” apo ngjashëm.
Eksperiencën e rikthimit e përjetuan kësaj here të dy këngëtarët shqiptar. Pirgu u gjet më parë në skenën e ROH si Rinuccio në Gianni Schicchi të Puccinit, ndërsa Ermonela në rolin e njëjtë, atë të Violettës në La Traviata para dy vjetësh. Ishte ky debutim i papritur. Anna Netrebko së cilës i ishte besua roli i Violettës pranë Jonas Kaufmann në rol të Alfredos u sëmurë para natës së dytë dhe Jaho u ftua papritmas që ta zëvendësojë sopranen ruse.
“Ermonela arriti në orën 5 në mëngjes. Në mbrëmje u paraqit në skenë, përkujton Paul Higgins, drejtor i ringjalljeve nga ROH.
Kohë mjaft për prova “rreth një orë e gjysëm, kjo ishte krejt”, dhe Ermonela u gjet para publikut dhe “ajo ishte mahnitëse”, shton Higgins.
Vijuan dy mbrëmje me Jahon në rol të Violettës, dhe kështu erdhi deri te ftesa për tu rikthyer në këtë rol në produkcionin e sivjetëm të Richard Eyre. Kësaj radhe pranë tenorit shqiptar Saimir Pirgut në rolin e Alfredos. Natyrisht është kënaqësi dhe sukses të gjendesh në këtë rol sidomos kur je thuajse në “fillim të karierës” siç e konsideron veten 28 vjeçari Pirgu.
Por “me rëndësi është të mos e zmëdhojmë", shton ai.
Dhe si arrin ai “të mos zmadhojë këtë sukses” apo siç thonë ti mban këmbët në tokë? Pa menduar fare, Pirgu thekson përvojën e “artistëve shqiptar”.
“Kush fillon nga hiqi e ka shumë kollaj të rrijë në tokë”. Shumica e artisteve shqiptar kan filluar nga kjo pozitë dhe po arrijnë suksese me artin e vet shton ai.
Sukses ky që kësaj here bëri që dy artistët shqiptar të gjenden në rolet kryesore të Traviatës.
“Për një vend të vogël siç është Shqipëria, kjo është unike dhe speciale”, thotë Higgins.
Por si e ndiejnë veten vet artistët duke punuar pranë njëri tjetrit.
“Shumë mire”, thonë Jaho dhe Pirgu të cilët ndonse të intervistuar ndamas, shpesh tingellonin sikurse po plotësonin njëri tjetrin.
“Përvoja, emocionet, mentaliteti…” gjithçka është influencuar nga rrethanat e ngjashme. Kjo gjë jo vetëm “lehtëson komunkimin” por edhe “pasuron” produkcionin, mendon Jaho.
Dhe derisa vet emocionet e tyre dukej se kontroloheshin gjatë aktit të parë, çdo gjë përjetoi transformim të vërtetë në aktin e dytë dhe të tretë. Emocionet e fshehura brenda “kurtozanes” tani kapluan skenën derisa Violeta ballafaqohej me kërkesën e babait të Alfredos (në interpretimin mëse impresiv të baritonit rus Dmitri Hvorovotski) dhe sëmundjen që do ta ndaj përgjithmon nga Alfredo.
Interpretime të fuqishme nga të tre këngëtarët botërorë dhe momente të mrekullueshme për publikun e pranishëm.
Pas paraqitjes në Londër, Jaho dhe Pirgu do të jenë gjetur në skenën e Dortmundit, Hamburgut… por “fatkeqësisht për tani jo” edhe në Shqipëri…
Kush e di, ndoshta vendi i vogël siç është Shqipëria do të transferohet një ditë në një skenë të vërtetë të muzikës jo vetëm për të krijuar emra si Jaho, Pirgu… por edhe për të pritur artistet e mëdhenjë nga anëkënd bota...
Kim Bytyci
<< Home