Friday, July 08, 2011

SKANDALI I PËRGJIMIT: MBYLLET "NEWS OF THE WORLD"

Gazeta e përjavshme britanike News of the World, do të mbyllet këtë të diele pas skandalit të përgjimeve dimenzionet e të cilit po zgjerohen nga dita në ditë.

Tabloidja 168 vjecare është në qendër të skandalit të përgjimeve private përfshirë viktima të krimit, politikanë dhe artistë.

Policia ka njoftuar se do të kontaktojë 4.000 persona emrat e të cilëve u gjetën në dokumentat e konfiskuar.

Gazeta, tirazhi i së cilës arrinë 2.8 milion kopje në javë, është pjesë e së ashtuquajturës perandori mediale të magnatit Rupert Murdoch. Njoftimi për mbylljen e saj u njoftua nga James Murdoch, kryetar i News International, ndryshe i biri i Rupert Murdoch.

Njoftimi mbi mbylljen e gazetës bëhet në javën kur skandali i përgjimeve morri përmasa të përgjithshme pas zbulimeve se viktima të përgjimeve ishin edhe viktimat e krimit.

Rasti që tronditi fuqimisht opinionin e këtushëm ishte zbulimi se celulari i një vajze të zhdukur shte përgjuar dhe porositë që familja e saj i lenin ishin fshirë gjë që bëri që familja të shpresoj se ajo ishte gjallë. Vajza më vonë u gjet e vdekur.

Skandali i përgjimeve ka kapluar edhe skenën politike. Sipas së përditshmes britanike The Guardian, ish-drejtori për komunikim me media i kryeministrit David Kameron, Andi Kulson do të arrestohet të premten në mëngjes. Kulson ishte kryeredaktor i News of the World dhe pati dhënë dorëheqje nga ky post pas zbulimeve iniciale mbi përgjimet. Ai pati mohuar cdo dijeni mbi përgjimet.