Thursday, November 10, 2011

Incident në Kosovë: Një i vrarë, dy të plagosur

Një pjestar i komunitetit serb u vra dhe dy të tjerë u plagosën mbrëmë vonë pas një shkembimi zjarri ndërmjet disa banorëve serbë dhe shqiptarë. Ngjarja ndodhi në lagjën Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës, konfirmon zëdhënësi i policisë së Kosovës në Mitrovicë Besim Hoti. Tani për tani, policia akoma nuk i di motivet e këtij incidenti. Edhe forcat paqeruajtëse thanë, se nuk kanë shumë njohuri për incidentin. Hetimet për shkaqet e incidentit janë duke vazhduar. Mediat serbe njoftojnë se njëri nga dy serbët e plagosur që po kurohet në Spitalin e Mitrovicës është pjesëtar i Shërbimit Policor të Kosovës.

Të menjëhershme kanë qenë reagimet e institucioneve më të larta të Kosovës. Presidentja Atifete Jahjaga, u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që të "tregojnë maturi dhe qetësi dhe që zgjidhjen e të gjitha çështjeve ta bëjnë përmes rrugëve institucionale duke respektuar ligjin. Presidentja Jahjaga po ashtu u bëri thirrje organeve kompetente të hetojnë rrethanat që çuan te incidenti dhe të ndërmarrin të gjitha masat që autorët e tij të arrestohen dhe të nxirren para drejtësisë.

Edhe qeveria e Kosovës e dënoi ashpër incidentin që ndodhi në veri të Mitrovicës. "Qeveria fton organet kompetente që të ndërmarrin të gjitha masat që ata që kanë kryer këtë akt të rëndë, të nxirren para drejtësisë dhe të marrin dënimin e merituar", thuhet në reagimin e qeverisë së Kosovës.

Incidenti i mbrëmshëm në lagjen Kroi i Vitakut në veri të Mitrovicës ndodhi në një kohë, kur në tërë rajonin e veriut të Kosovës vazhdimisht po mbretëron një situatë e tensionuar për shkak të barrikadimit të rrugëve nga serbët tash e dy muaj. Forca të policisë së Kosovës, ato të misionit EULEX dhe trupat e KFOR-it, e shtuan gjatë natës edhe më shumë praninë e tyre në veri të Mitrovicës. Të merkurën në mëngjes forcat paqeruajtëse e tyre përdorën gaz lotsjellës kundër një mase serbësh të cilët tentonin ta pengonin KFOR-in për të mbyllur një rrugë ilegale që serbët e Kosovës e përdornin për kalim në Serbi dhe anasjelltas.