Saturday, November 25, 2006

RADIOAKTIVITET NË TRUPIN E ISH-AGJENTIT TË VDEKUR

Në trupin e ish-agjentit të vdekur rus, Aleksaner Litvinenko ështue gjetur një dozë e madhe e poloniumit radioaktiv 210.
Policia që po hulmon këtë vdekje ka gjetur njësi mbi të radioaktivitetit në tri lokacione në Londër. Gjurmë radioaktive është gjetur ne shtépi të Litvinenkos, në një bar sushi në qendër té Londrës dhe në hotelin Millenium poashtu në qendër të qytetit. Expertët shëndetsorë thonë se rreziku për personat e tjerë është i ulët.

Aleksandar Litvinenko vdiq të enjten në mbrëmje ne Spitalin e Kolegjit Universitar në Londër ku ishte në mjekim.


Në deklaratën që e kishte diktuar para se të vdiste, ish-agjenit rus akuzoi presidentin rus Vladimir Putin për involvim në vdekjen e tij. Kremlini ka hudhur poshtë akuzat mbi çdo involvim.

Friday, November 24, 2006

ISH-AGJENTI RUS VDES NE LONDËR

Aleksandar Litvinenko vdiq dje (të enjeten) në mbrëmje në Spitalin e Kolegjit Universitar ku gjendej në mjekim. Vdekja e tij besohet të jetë e lidhur me praninë e substancës radioactive që u gjet në trup të tij. Policia e Londrës po hultumtonë vdekjen e tij dhe ka ftuar ekspertët për materiale radioaktve.

Litvinenko u sëmure më 1 nëntor pas disa takimeve që pati atë ditë në Londër. Më vonë gjendja e tij shëndetsore u keqësua dhe ai u shtrua në spital. Litvinenko patë humbur flokët dhe pamja e tij i gjasonte një pacienti me kancer. Gjendja e tij u keqësua dje dukshëm kur u përshkrua si “shumë serioze”.

Aleksander Litvinenko erdhi në Britani të Madhe në vitin 2000 ku kërkoi dhe mori strehim politik. Kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin para sëmurjes së tij më 1 nëntor, ish-agjenti rus ishte duke hulumtuar vrasjen e gazetares ruse Anna Politkovskaya. Për këte vrasje, ish-agjenti rus Litvinenko akuzoi presidentin Putin. Akuzat e veta në fakt ai i bëri edhe në një takim gazetarësh ku edhe unë isha presente disa ditë para sëmurjes së tij. Takimi i kushtohej gazetares Anna Politkovskaya e cila u gjet e vrarë në hyrje të ndërtesës ku banonte.

Në deklaratën që e kishte diktuar para vdekjes, Litvinenko akuzoi presidentin Putin për involvim në vdekjen e tij. Autoritetet ruse kan hudhur poshtë akuzat mbi involvimin e tyre duke I quajtur si plotësisht të pakuptimta.



Kim Bytyci
Deutsche Welle në shqip
http://www2.dw-world.de/albanian

Wednesday, November 08, 2006

INTERVISTË: PRESIDENTI SEJDIU

Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu flet mbi pasojat që mund të ketë shtyrja e bisedimeve per statusin final te Kosoves, mbi kushtetuten e re dhe zgjedhjet në Serbi, si edhe mbi problemet kryesore me të cilat Kosova lufton ende si problemi i pakicave në vend dhe decentralizimin. Intervistën e zhvilloi shefi i programit shqip të DW-së, Fabian Schmidt


Deutsche Welle:
Zoti President, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Annan, ka paralajmëruar se bisedimet për statusin mund të shtyhen për vitin e ardhshëm. Cili është qëndrimi i Grupit Negociator në lidhje me këtë paralajmërim?

Fatmir Sejdiu: Unë paraprakisht mund të them se ndodhemi vërtet në një proces të rëndësishëm, që dëshirojmë ta përmbyllim në mënyrë të suksesshme. Vizioni ynë është edhe vizioni zyrtar i bashkësisë ndërkombëtare, që viti 2006 të jetë edhe viti i përfundimit të këtij procesi. Dhe mendoj se ka arsye të shumta përse duhet të kryhet sa më shpejt ky proces. Së pari mendoj se është një investim i qëlluar dhe me kualitet, pavarësisht nga vështirësitë objektive që kena pasur si bashkësia ndërkombëtare ashtu edhe qytetarët e Kosovës për të arritur në këtë nivel pjekurie, që Kosova mund të veprojë si shtet. Së dyti jemi vërtet të gatshëm që të ecim përpara dhe të kuptojmë veprimet tona në të ardhmen si shtet. Elementi i tretë i rëndësishëm është edhe çështja e hapjes së perspektivës zhvillimore të Kosovës, në kuptim e marrjes së përgjegjësive dhe në aspektin e mundësive të zhvillimit ekonomik. Duke pasur gjithashtu parasysh mundësinë që Kosova të jetë pjesëmarrëse në mekanizmat ndërkombëtare, posaçërisht në mekanizmat monetarë.

Deutsche Welle:
Zoti President, në Kosovë janë shtyrë zgjedhjet lokale për shkak të zgjidhjes së statusit. Nga ana tjetër, zgjidhja e statusit të Kosovës mund të shtyhet për shkak të zhvillimit të zgjedhjeve në Serbi. A nuk ju duket ky një paradoks, që në Kosovë pezullohet një proces demokratik për shkak të një procesi demokratik në Serbi?

Fatmir Sejdiu:
Keni të drejtë. Unë kam qenë pjesëmarrës në procesin e përgatitjes për vendimmarrje rreth shtyrjes së zgjedhjeve lokale, që duhet të zhvilloheshin në vjeshtë në Kosovë. Një nga elementet kryesore ka qënë koincidenca e plotë me çështjen e definimit të statusit politik. Sigurisht që kjo do të ishte një bazë jo e arsyeshme e shtyrjes së tyre vetëm se diku tjetër po zhvillohen gjithashtu zgjedhje. Natyrisht që këtu mund të kemi parasysh dy rrafshe themelore që shtrohen ndoshta edhe kundrejt bashkësisë ndërkombëtare. Them se ndoshta këto ditë mund të jepet një shans eventual që Serbia të deklarojë vetëveten në proceset e demokratizimit. Por mendoj se kjo është e gjitha një lojë që udhëhiqet nga ana e Serbisë dhe qëllimi i saj është në esencë, që të bëhet një zgjatje e mëtejshme e procesit.

Deutsche Welle:
A mendoni se shtyrja e zgjidhjes së statusit mund të shkaktojë në Kosovë pakënaqësi të qytetarëve, apo ndoshta edhe dhunë?

Fatmir Sejdiu: Mund të them së pari se është përkushtimi ynë, që kjo çështje të zgjidhet sivjet me këto përparësi dhe nevoja që kanë shprehur institucionet e Kosovës dhe delegacioni i Kosovës. Sy dyti besoj se çdo zvarritje mund të shkaktonte vërtet pakënaqësi. Por unë dua të theksoj se ne e mbështesim edhe mendimin e bashkësisë ndërkombëtare për integritetin e plotë të hapësirës së Kosovës, pra flas edhe për pjesë ku ka pasur instalim të strukturave paralele, si për shembull veriu mbi lumin Iber, Mitrovica e Veriut apo edhe pjesë të tjera ku shumica e popullsisë janë serbë. Dhe nevoja e proklamuar nga ana e tyre se mund të ketë lëvzije me potenca separacioni, që shprehen si pakënaqësi e qytetarëve. Për ne është shumë e rëndësishme që parimet e proklamuara nga Grupi i Kontaktit mbi integritetin e plotë të Kosovës, që është një nga parimet themelore, të funksionojë siç duhet. Për ne është shumë e rëndësishme që të ketë një investim ndërkombëtar dhe vendor që të ecim në drejtim të strukturave zhvillimore për ata popullatë, dhe ajo të jetë e integruar në hapësirat e Kosovës dhe në jetën e përditshme politike dhe shtetërore. Për ne është shumë e rëndësishme që këta njerëz të kthehen në shtëpitë e tyre dhe të mos përdoren si "gogolë të vazhdueshëm" në instrument të Serbisë për një politikë dispresive që bëhet në Kosovë. Për ne është gjithashtu shumë e rëndësishme që Kosova të funksionojë në gjithë tërësinë e saj.

Deutsche Welle:
Bashkësia ndërkombëtare ka kërkuar nga institucionet e Kosovës që të mos merren vendime të njëanshme për statusin final. Ndërkohë nga ana tjetër, në Serbi u miratua kushtetuta, sipas të cilës Kosova është pjesë e Serbisë.

Fatmir Sejdiu:
Po, por ky është një hap i njëanshëm dhe një hap që dëshmon se Serbia vazhdon me një politikë të dekadave të mëhershme. Në secilën kushtetutë të saj, që është hartuar vetëm në interesat e veta, ajo ka dashur ta përfshijë dhunshëm po them edhe në këtë formë të agresionit kushtetues edhe Kosovën. Por mendoj se bashkësia ndërkombëtare e ka dalluar se një kushtetutë e tillë, sidomos paragrafi që ka të bëjë me Kosovën, nuk i kontribon as stabilitetit të përgjithshëm politik dhe shpirtënor të Serbisë dhe nga ana tjetër nuk do të kete sigurisht efekt politik apo juridik në Kosovë.


Deutsche Welle:
A nuk ju duket se bashkësia ndërkombëtare në këtë rast po praktikon standarte të dyfishta?

Fatmir Sejdiu: Unë nuk do të thoja se flitet për standarte të dyfishta. Për ne është e rëndësishme që jemi edhe prezantues të idealit që kemi si popull dhe mendoj se kjo duhet të ketë vlerën dhe peshën e vet. Nga ana tjetër presim që bashkësia ndërkombëtare ta shpërblejë sjelljen tonë.

Deutsche Welle: Nëse do të ketë një shtyrje të zgjidhjes së statusit, a ka Grupi negociator një plan rezervë, se si të përballet me një situatë të tillë?

Fatmir Sejdiu: Nëse do të ketë shtyrje apo jo, këto janë ende hipoteza. Për ne ka rëndësi që ky proces të vazhdojë me dinamikën e vet dhe si i tillë të japë produktin e vet, natyrisht në definimin e statusit. Plani ynë është realizimi i vetësisë së Kosovës. Ne nuk kemi rezerva dhe strategji sipas motove "plani A" apo "plani B". Ne jemi këmbëngyulës në realizimin e këtij synimi apo vullneti politik që ka populli i Kosovës, duke pasur parasysh pikërisht nevojën e kontributit të drejtpërdrejtë edhe për aspekte të tjera që flasin edhe për planin ndërkombëtar.

Deutsche Welle:
Si e vlerësoni rolin e Gjermanisë në zhvillimet e përgjithshme në Kosovë, sidomos aktualisht kur në Kosovë ndodhen 3 gjermanë me pozita të larta ndërkombëtare: Shefi i UNMIK-ut, komandanti i KFOR-it dhe shefi i OSBE-së?

Fatmir Sejdiu: Mendoj se në përgjithësi kemi një bashkëpunim shumë të mirë. Secili prej këtyre personaliteteve që kemi aktualisht në Kosovë, janë njerëz që kanë qënë edhe më parë në Kosovë. Gjenerali Kather ka qënë i pranishëm edhe në momentet e gëzimit të qytetarëve të Kosovës për lirinë, që u mundësua edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Zoti Ryker ka qënë një person që ka bërë një kthesë të mirë sidomos në procesin e privatizimit dhe zoti Vlen po ashtu ka qënë për një periudhë të gjatë kohore këtu. Ashtu siç presim që koincidenca e mirë të na ndjekë edhe në proceset e mëtejshme si së shpejti në udhëheqjen e BE-së nga Gjermania. Mendoj se kemi mundësi që të japim edhe nga ana jonë një impuls për vazhdimin e marrëdhënieve të mira. Dua të falenderoj ehde për të gjitha angazhimet që Gjermania ka pasur deri tani për Kosovën dhe mendoj se ka ende hapësirë që të veprohet edhe më tej në mënyrë energjike në drejtim të përshpjetimit të proceseve për njohje dhe integrime, të cilat janë gjithashtu pjesë e zhvillimit të mëtejshëm edhe krahas rezultateve të arritura deri tani në bashkëpunimin ekonomik të investimeve që kanë ardhur në forma të ndryshme nga Gjermania si edhe në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Fabian Schmidt

Deutsche Welle

http://www2.dw-world.de/albanian

Tuesday, November 07, 2006

PROMOVIM I SHENJTË APO I FAMSHËM

Së pari ky nuk është revision i librit, “Mother Teresa: Saint or celebrity”. As analizë e jetës së Nënë Terezës. Poashtu ky artikull nuk do të merret me veprimtarinë e autorit të këtij libri, Gëzim Alpionit.
Temë e këtyre rreshtave në fakt është vetë ky dhe promovimi në përgjigjësi.
Pse? Përse, pyetni ju unë zgjedhi të flas për formën e një ngjarje e jo për vet substancën e saj:

Para së gjithash të themi se botimi në fjalë është sipas vet autorit një punim akademik i drejtuar pra para së gjithash qarqeve akademike. Poashtu botimi që promovohej ishte botuar në anglisht dhe, sërish siç tha autori, tani për tani nuk ka plane të përkthehet në shqip. Në sallën e promovimit ndërkaq atë ditë shumica e të pranishmëve ishin pikërisht shqiptarët, pjesëtarë të diasporës së këtushme shqiptare. Dhe shumica e tyre ishin fytyrat e njohura që takohen gati në çdo tubim të ndryshëm publik i cili në këtë apo atë mënyrë ka të bëje me shqiptarët. Dhe pikërisht ky fakt më shtyri që të kalojë ca momente duke u marr pikërisht me këtë formë, me një lloj protokoli të pabotuar të këtyre takimeve.

Sipas këtij protokoli pra thuajse në çdo tubim me tematike shqiptare rreth 95% e mysafirëve janë vetë shqiptarët. Dhe 95% e kësaj shumice janë personast e njëjtë që mund të takohen nëpër të gjitha këto takime. Çoftë pritje e thjeshtë, ngjarje tematike, promovim akademik, diskutim politik apo ngjashëm. Ndërsa ky nymër pra këta 95% të shqiptarëve përbëjnë në fakt përafërsisht 5% të diasporës shqiptare këtu në Londër. Dhe madje po ta zëmë se këto ngjarje edhe organizohen apo duhet të organizohen për shqiptarët, vetvetiu shtrohet pyetja ku janë atëherë 95% e diasporës. Vallë vërtetë atyre nuk u intereson asgjë intelektuale apo nuk janë pjesë e elitës intelektuale shqiptare e cila meriton për tu ftuar. Përveç ndoshta për koncerte të ndryshme kur ata shndërrohen në një masë të thjeshtë argëtuese të most themi paguese. Thjesht 95% e shqiptarëve duket se jetojnë të pavërejtur apo madje të palëvizshëm gjatë tërë vitit për tu “zgjuar” vetëm dy-tri herë në vit siç është rasti fjala vjen me 28 nëntorin kur shoqatat e ndryshme shqiptare në Londër bëjnë disi garë me ftesat e veta individuale.

Dhe kështu gjersa vështroja të pranishmit se si vështronin kopertinat e librit, shikimi im u ndal në fotografinë e Nënë Terezës. Vallë ç'do të thoshte Nënë Tereza sikur të ishte e pranishme në këtë dhomë, më kaloi nëpër kokë. Apo më saktësisht çka do të bëhej me Agnes Bojaxhiun po të ishte një shqiptare e këtillë moderne tradicionale. Me të arritur në Dablin ajo do zhdukej në përditshmërinë e jetës irlandeze. Disa herë në vitë do të përcillte ndonjë mbrëmje të ashtuquajtur kulturore-artistike. Nëse rastësisht në listën e këtij 5% të diasporës së zgjedhur, ajo do të përcillte çdo takim me tematike shqiptare duke kryer kështu njëkohsisht obligimin e vet kombëtar e intelektual. Dhe sot ndoshta do ishte e shënuar si notë referimi në ndonjë libër mbi Ballkanin pa shënuar dallim madje për një fëmijë e lë më miliona sosh..

Shumë prej jush tani do fillojnë të më kritikojnë për kriteret e “shenjta” sipas të cilave siç duket unë pres nga çdo individ të bëhet Nënë Terezë. Se si në vend të promovojë arritjet shqiptare unë ja "merrem me analiza irelevante të sjelljes moderne shqiptare".

Vërtetë shpesh dëgjoj se shqiptarët nuk duhet të kritikojnë njëri tjetrin. Se madje gazetarët duhet të provojnë vetëm shembujt pozitiv si fjala vjen studentët apo akademikët siç ishtë autori i librit në fjalë. Sipas kësaj teorie pra, vet fakti se një shqiptar është akademik dhe autor është ngjarje që shtypi duhet të shkruajë. Por çka të shkruajë nuk është e qartë. Apo me saktësisht është e qartë. Çdo gjë në superlative. Të shfrytëzosh këtë rast për të promovuar Nënë Terezen para së gjithash si shqiptare. Për të promovuar autorin, para së gjithash si shqiptar. Për të promovuar të pranishmit para së gjithash si shqiptar. Fakti se libri në fjalë është i shkruar siç tha autori për lexuesit britanik dhe tani për tani nuk ka plane të përkthehet fare në shqip apo në ndonjë gjuhë tjetër ballkanike, duket minor. Ngase sipas teorive të këtilla nuk është përmbajtja e librit ajo që duhet të tërheq opinionin shqiptar. Është fakti se është i shkruar nga një shqiptar dhe i kushtohet një shqiptare. Pra janë kopertinat ato që krijojnë lajm jo përmbajtja brenda tyre. Dhe kështu duket se mjafton të blesh këtë libër dhe obligimi ndaj kombit të kryhet. Madje atë mbrëmje vërejta se si disa blerës nuk mërziteshin nëse botuesi nuk kishte monedha të imta për të kthyer kusurin. Sikurse ky kusur ti shkonte Nënë Terezës apo veprimtarisë së saj. Sipas këtyre teorive identiteti kombëtar është primar dhe çdo identitet tjetër çoftë ai më i ngushtë personal apo më i gjerë si fjala vjen Ballkanik apo Europian, apo identiteti professional etj është sekondar. Kështu përkatësia kombëtare bëhet një lloj obligimi i vecantë që duhet kryer pa sfiduar apo testuar, përmes një promovimi të vazhdueshëm absolut të vlerave kombëtare.

Por madje edhe nëse zëmë se ky obligim është i drejtë dhe duhet të jetë absolut, shtrohet pyetja se sa efektiv mund të jetë një promovim i këtille. Madje edhe nëse numri i jo-shqiptarëve në këto "tubime promovuese" do të ishte më i madh se përfarsisht 5%. A ngritet vërtetë prestigji intelektual i një kombi nëse intelektuali në fjalë nuk është kritik dhe sfidues pa kufizime kombëtare të paktën jo në praninë e “të të huajve”. Nëse motivimi i tij është motivim kombëtar e jo shkencor. “Ai është patriot jo akademik” më patë thënë me një rast një akademike ndërkombëtare duke iu referuar një hulumtuesi shqiptar këtu në Londër. Fakti se pastaj mes vete kalojnë orë të tëra duke kritikuar njëri tjetrin bëhet argument personal e jo intelektual, kritikë me prapavijë destruktive e jo kritikë konstruktive. Para disa vjetesh pas një prezantimi që pata bërë me një seminar ndërkombëtar kushtuar temës së mitologjisë, pata dy kritika të ashpra nga dy individë shqiptarë të cilët prezantimin tim mbi mitin e liderit e panë si kritikë apo sulm ndaj liderit të atëhershëm të LDK-së Dr Rugovës. Në rastin e parë, individi në fjalë u drejtua me fjalët “kjo vajzë që nuk dijë se për çka flet”. Por tërë ajo për çka më akuzoi në vijim në fakt ishte theksuar jo nga unë por pjesëmarrësi tjetër në panel, një akademik britanik. Kritiku i dytë më priti në pauzë pa fjalë duke më qortuar vetëm me shikim. Kur iu ofrova dhe e pyta nëse ka diçka për të thënë, ai së pari më njoftoi se si nuk deshi të më “sulmojë” para të të huajve e pastaj më pyeti se si kritikojë presidentin madje ashtu haptas.

Promovimi kombëtar duket të jetë karakteristikë e popujve ti quajmë të vegjël në kuptimin ekonomik, pra popujve ekonomikisht periferik siç janë popujt e Ballkanit. Orvatjet e përvetsimit të Nënë Terezes nga popujt e ndryshëm ballkanik, maqedon, vllah, serb etj, siç përkujton autori, janë shembull këtyre tendencave. Kur komponentës ekonomike i shtohen konfliktet luftarake ky promovim kombëtar bëhet jo vetëm obligim moral e praktik por madje pjesë e sigurisë kombëtare duke gjykuar çdo individ që nuk i përmbahet rregullave të këtilla. Lufta e viteve të '90-ta në ish-Jugosllavi ilustron qartë këto tendenca. Gazetarë, artistë e krijimtarë të ndryshëm u bënë punonjës aktiv politik. Kritikët e brendshëm të politikës kombëtare bëheshin gjithnjë e më të rrallë derisa konflikti ashpërsohej gjithnjë e më shumë. Shih më tha me një rast një kolege gjersa rrëfente mbi një vizitë në një Manastir otdokos gjatë luftës në Kosovë: Në Ballkan nuk kemi krijues, artist, shkencëtar, priftërinjë e hoxhallarë. Ne kemi vetëm patriot, aktivistë politik të veshur në petka të ndryshme përfshirë ato fetare.

Shumë shqiptarë i shohin për të madhe Nënë Terezës pse ajo nuk kishte theksuar më zëshëm përkatësinë e saj kombëtare. Nga ana tjetër, siç përkujtoi edhe autori i këtij libri figura e Nënë Terezës në Ballkan është politizuar në masë të tepërt. Është shndërruar shpesh në një mjet politik në garën e këtyre popujve për të dëshmuar se pikërisht ata e jo konkurentët e tyre janë të aftë të japin një figurë të këtillë.
Të preokupurar me promovimin kombëtar, popujt ballkanik harrojnë se Agnes Bojaxhiu ishte para së gjithash qenie njerëzore, e lindur në Ballkan madje para krijimit të shteteve moderne në fjalë, pranë prindërve me etnicitet të caktuar. Ishte vogëlushe me një energji të jashtzakonshme të brendshme që besimtarët e shohin si “thirrje” ndërsa jo-besimatrët si “instikt human”. Agnes Bojaxhiu pra ishte një gocë e re e cila në moshën 18 vjeçare vendosi ti dedikohet zërit apo energjisë së brendshme duke ndihmuar humanizmin si të tillë. Dhe për këtë u njoh si nga besimtarët ashtu edhe ateistët e agnostikët. Në vend të garave të ndryshme promovuese politike popujt ballkanik do të promovonin më efektivisht vlerat e veta poqese veprimtarinë e krijuesve të tyre ta kuptonin para së gjithash si veprimtari humane dhe të ngriten mbi kufijtë e ndryshëm, çofshin ata shtetërorë, kombëtar apo fetar.